Dekani Qerimi priti në takim kryetarin e Trupit Këshillëdhënës të Fakultetit Juridik, Shpëtim Peci
Në Fakultetin Juridik, dekani i Fakultetit, prof.dr. Islam Qerimi së bashku me sekretaren e këtij Fakulteti, Bahrie Sadiku priti kryetarin e Trupit Këshillëdhënës të Fakultetit Juridik, Shpëtim Peci, prokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Gjatë këtij takimi, dekani Qerimi dhe kryetari Peci diskutuan mbi realizimin e çështjeve të ngritura në mbledhjen e fundit të menaxhmentit të Fakultetit dhe Trupit Këshillëdhënës, e cila ishte mbajtur në fund të semestrit të kaluar. Me këtë rast, dekani Qerimi e informoi kryetarin Peci për të arriturat e fundit të Fakultetit Juridik, me theks të veçantë në ngritjen e cilësisë së programeve studimore, avancimin e mësimdhënies, si dhe zhvillimin e projekteve ndërkombëtare.
Në kuadër të vizitës, kryetari Peci, së bashku me LL.M., asistent Xhemajl Veliqi, PhD, zhvilluan një ligjëratë duale për studentët e Fakultetit Juridik në kuadër të lëndës “E Drejta e Procedurës Penale”, duke ndarë përvoja praktike dhe profesionale nga fusha e drejtësisë penale.
Në përmbyllje të takimit, dekani Qerimi falënderoi Kryetarin Peci për përkrahjen e vazhdueshme si Kryesues i Trupit Këshillëdhënës të Fakultetit Juridik, duke vlerësuar kontributin e tij në dhënien e rekomandimeve për implementimin e lëndëve dhe kapitujve të rinj, në përputhje me nevojat aktuale të tregut të punës dhe zhvillimet bashkëkohore në fushën juridike.

