QZHK do të bashkëpunojë me Zyrën e Punësimit për t’i njohur studentët me programet e punësimit
Qendra për Zhvillim në Karrierë (QZHK) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Zyrën e Punësimit në Mitrovicë për të lehtësuar shpërndarjen e informacioneve lidhur me programet e punësimit. Për këtë dhe pika të tjera bashkëpunimi me interes reciprok u diskutua në një takim të përbashkët ndërmjet drejtorit për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari dhe zyrtarit të Lartë të QZHK-së në UIBM, Erzen Isufi me zyrtarët e Zyrës së Punësimit, Fahri Jashari e Meleke Kelmendi Shipoli.
Lehtësimi i informacioneve për programet e punësimit, u vlerësua si një mundësi e mirë për studentët, të cilët do të mund të bëhen pjesë e tyre. Për këtë u dakordua që të organizohen edhe sesione informimi për studentët e UIBM, të cilët do të njoftohen në detaje për programet që ofrohen, trajnimet e ndryshme që mbahen etj.
Për të konkretizuar bashkëpunimin të dyja palët u pajtuan që të përgatisin një draft për një Memorandum Bashkëpunimi, ku do të specifikohen fushat e bashkëpunimit dhe do të ndahen detyrat dhe përgjegjësitë.
