Fakulteti Juridik mirëpret studentët që do të zhvillojnë praktikën profesionale në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe në degët e saj në Vushtrri dhe Skënderaj
Menaxhmenti i Fakultetit Juridik priti studentët të cilët në këtë semestër do të fillojnë zhvillimin e praktikës profesionale në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe në degët e saj në Vushtrri dhe Skenderaj.
Në këtë takim morën pjesë dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Islam Qerimi, prodekani për marrëdhënie ndërkombëtare dhe cilësi, prof. asoc. dr. Arbnor Ajeti, shefi i departamentit, prof. asoc. dr. Besnik Murati, si dhe zyrtari për shërbime studentore Bekim Salihu. Ata pritën një numër studentësh që do të zhvillojnë praktikën profesionale në ditët e liruara nga ligjëratat dhe ushtrimet që mbahen në Kampusin e Fakultetit.
Dekani Qerimi informoi studentët për angazhimin e vazhdueshëm të menaxhmentit në mbështetjen dhe organizimin e praktikës profesionale, edhe pse në kurrikulën e fakultetit janë të përfshira edhe lëndët e klinikave juridike. Ai theksoi rëndësinë që ka ky aktivitet për përgatitjen praktike të studentëve dhe për afrimin e tyre me sistemin gjyqësor.
Gjatë takimit, menaxhmenti njoftoi studentët edhe me rregullat dhe udhëzimet që duhet të respektojnë gjatë ushtrimit të praktikës, përfshirë ruajtjen e rendit të brendshëm në gjykata dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të Fakultetit dhe Universitetit. Studentët shprehën interesimin dhe kërkesat e tyre në lidhje me vendin e zhvillimit të praktikës, departamentet përkatëse, si dhe organizimin e transportit dhe aktiviteteve tjera që lidhen me këtë proces.
