Prof. Gollopeni pjesë e kërkimeve post-doktorale në Universitetin e Gracit
Prof. Asoc. Dr. Besim Gollopeni nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, me ftesë të Universitetit të Gracit në Austri dhe me mbështetjen e programit OeAD dhe grantit SHER (Scientific Exchange Research Grant), do të qëndrojë në cilësinë e hulumtuesit Post-Doctoral në Institutin e Sociologjisë të këtij universiteti.
Kjo është hera e tretë që Prof. Gollopeni përfiton nga bursa prestigjioze ndërkombëtare SHER, e financuar nga OeAD, duke dëshmuar vazhdimësinë e angazhimit dhe suksesit të tij në arenën ndërkombëtare akademike.
Në kuadër të këtij angazhimi, Prof. Gollopeni do të zhvillojë ligjërata dhe hulumtime të avancuara në nivel post-doktoral, me fillim nga 1 shtatori 2026 në Universitetin e Gracit. Programi SHER mbështet zhvillimin e kërkimit shkencor përmes bashkëpunimit me institucione të njohura në Austri, duke krijuar mundësi për shkëmbim akademik dhe avancim profesional.
Kjo arritje e rëndësishme përbën një nder për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe njëkohësisht reflekton kontributin e vazhdueshëm të Prof. Gollopenit në afirmimin ndërkombëtar të universitetit. Përmes angazhimit të tij akademik, ai kontribuon drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e kërkimit shkencor, mësimdhënies dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
