Ribotohet libri “Bazat e Sistemit të Drejtësisë”, i autorit, prof.dr. Agron Beka
Ka dalur nga shtypi libri i ribotuar: “BAZAT E SISTEMIT TË DREJTËSISË” i autorit, prof.dr. Agron Beka, i cili është hartuar me qëllim që të ofrojë një burim të strukturuar dhe të dobishëm për studentët e Fakultetit Juridik të UIBM. Me kalimin e kohës dhe në dritën e zhvillimeve të reja ligjore, materiali (ligjërata të autorizuara) është plotësuar dhe përditësuar sipas ndryshimeve të legjislacionit në fuqi, me qëllim që studentëve t’u ofrohet një trajtim sa më bashkëkohor dhe praktik i çështjeve juridike. Krahas këtij botimi, studentët duhet të konsultojnë vazhdimisht edhe legjislacionin në fuqi në Kosovë, i cili paraqet literaturë të domosdoshme për kuptimin dhe trajtimin korrekt të çështjeve ligjore.
Përmes këtij ribotimi, autori synon të ndihmojë studentët e Fakultetit Juridik të UIBM-ës në përvetësimin bazik të lëndës “Bazat e Sistemit të Drejtësisë”, duke u ofruar njohuri themelore për sistemin juridik dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Njohuritë e fituara nga kjo lëndë paraqesin bazën e domosdoshme për studimet e mëtejshme juridike dhe për formimin profesional të juristëve të ardhshëm.
