U mbajt “Konferenca I Ndërkombëtare Multidiciplinare për Studentë 2026”
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të enjten “Konferenca I Ndërkombëtare Multidiciplinare për Studentë 2026”, ku me punimet e tyre (fizikisht dhe onlajn) u paraqitën rreth 50 studentë nga brenda dhe jashtë vendit. Përveç nga Kosova, kishte studentë edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.
Konferencën që është organizuar nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku pjesën më të madhe të punës e kanë bërë vet studentët, e ka hapur rektorja, prof.dr. Nurten Deva. Ajo ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar ata që kanë qenë pjesë e organizimit.
Gjithashtu rektorja Deva u ka uruar sukses studentëve që janë paraqitur me punimet e tyre. “Konferenca e Parë Ndërkombëtare Multidiciplinare për Studentë është një shteg i ri për studentët që të sfidojnë veten në shkencë, të ballafaqohen, të krahasohen dhe të provohen. Po fillojmë këtë ngjarje shkencore për ta vazhduar, për të mos u ndalur, për ta bërë traditë dhe imazh të Universitetit tonë”.
Ajo theksoi se Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë po rrugëton suksesshëm, duke rritur përditë e më shumë mundësitë për akademik dhe për studentët. “Konferencat shkencore tashmë po bëhen pjesë e rutinës sonë të përditshme, duke shpërfaqur punën e mirë dhe rritjen e cilësisë në universitet”, tha rektorja.
Në ceremoninë hapëse të Konferencës është prezantuar edhe një historik i shkurtër i UIBM, ndërsa në vazhdim të pranishmëve ju ka drejtuar me një fjalë edhe studentja, Eljona Munishi, e cila ka dhënë një kontribut të madh në organizim. Ajo tha se kjo konferencë nuk është vetëm një prezantim punimesh, por edhe një hapësirë ku studentët mund të mësojnë nga njëri-tjetri, të ndajnë përvoja dhe të krijojnë kontakte me studentë dhe profesorë nga fusha të ndryshme.
Konferenca i ka zhvilluar punimet në dy grupe, ku studentët kanë prezantuar punimet e tyre para panelit të kombinuar ndërmjet stafit akademik dhe studentëve.
