Tre studentë të FIMK-ut po qëndrojnë për mobilitet në “Riga Technical University (RTU)”, Letoni
Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Erza Zejnullahu, Dhuratë Canhasi dhe Ervin Behxheti, janë duke përmbyllur mobilitetin studentor në Riga Technical University (RTU) në Letoni, në kuadër të programit Erasmus+. Mobiliteti është realizuar gjatë semestrit veror janar-qershor 2026. Gjatë qëndrimit në RTU, studentët kanë ndjekur aktivitete akademike, janë njohur me një mjedis ndërkombëtar të studimit dhe kanë përfituar përvojë të vlefshme profesionale e kulturore.
Sipas studentëve, mobiliteti ka ecur shumë mirë dhe ata janë shprehur të kënaqur si me universitetin pritës, ashtu edhe me përvojën e tyre në Letoni. Prodekani për Cilësi dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, prof.ass.dr. Berat Ujkani, thekson se nën mbështetjen e menaxhmentit të Fakultetit dhe Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, FIMK do të vazhdojë të punojë për zgjerimin e mundësive të mobilitetit studentor, stafit akademik dhe administrativ, si dhe forcimin e bashkëpunimeve me universitete partnere evropiane.

