U mbajt takimi i bartësve të Programit Studimor Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore – Bachelor
Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, sot u mbajt takimi i bartësve të Programit Studimor Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore – Bachelor, i thirrur në bazë të Planit të Përmirësimit dhe Raportit me Plan të Punës nga takimi i bartësve të programit, i mbajtur më 03.03.2026.
Në takim morën pjesë bartësit e programit, Prof. asoc. Valdet Gjinovci, Prof. assoc. Fatos Rexhepi dhe Prof. asoc. Bahtir Hyseni, ndërsa nga menaxhmenti i fakultetit mori pjesë Prodekanja për Cilësi, Prof. asoc. Mirsade Osmani.
Gjatë takimit u diskutuan me radhë pikat e rendit të ditës, të cilat kishin të bëjnë me organizimin e punëtorisë për shqyrtimin dhe përditësimin e syllabuseve, hartimin e strategjisë kërkimore të njësisë akademike, formimin e trupës këshillëdhënëse në kuadër të FTU-së, përditësimin e listës së marrëveshjeve, si dhe standardizimin dhe përditësimin e profileve të stafit akademik në web-faqen e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore.
Pas diskutimeve, u morën disa vendime dhe u përgatitën kërkesa konkrete për adresim te organet përkatëse të fakultetit. U vendos që të përpilohet një draft i syllabusit unik, i cili do të shërbejë si format i standardizuar për të gjitha lëndët në Programin Studimor Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore – Bachelor. Ky draft do t’i dërgohet Këshillit të Fakultetit për shqyrtim dhe miratim.
Po ashtu, u përpilua një kërkesë drejtuar Këshillit të Fakultetit për formimin e një grupi punues në kuadër të FTU-së, me qëllim hartimin e Planit Strategjik të njësisë akademike për periudhën 2027–2030. Ky dokument synon të përcaktojë orientimet strategjike të fakultetit në fushën akademike, kërkimore dhe zhvillimore.
Në kuadër të takimit, u përgatit edhe kërkesa drejtuar Dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore për themelimin dhe funksionalizimin e trupës këshillëdhënëse në kuadër të FTU-së. Kjo trupë pritet të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit me industrinë dhe në lidhjen më të mirë të programeve studimore me nevojat e tregut të punës.
Gjithashtu, u përpilua kërkesë drejtuar Prodekanes për Cilësi për përditësimin e listës së marrëveshjeve ekzistuese, si dhe për ripërtëritjen dhe inicimin e marrëveshjeve të reja në bashkëpunim me bartësit e programeve të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore.
Kërkesa e fundit e dalë nga takimi iu drejtua Dekanit të FTU-së dhe kishte të bënte me standardizimin dhe përditësimin e profileve të stafit akademik në web-faqen e fakultetit. U theksua rëndësia që profilet e stafit të përmbajnë të dhëna të përditësuara dhe të strukturuara lidhur me publikimet shkencore, fushat kërkimore, projektet, angazhimet profesionale dhe aktivitetet akademike.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të vazhdueshëm të Programit Studimor Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore – Bachelor, si dhe drejt forcimit të cilësisë, transparencës dhe zhvillimit strategjik të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore.
