Përmbyllet me sukses Programi për Zhvillimin e Lidershipit në kuadër të projektit LEADALKO
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Kolegji Biznesi përmbyllën me sukses pilotimin treditor të Programit për Zhvillimin e Lidershipit, të realizuar në kuadër të projektit Erasmus+ CBHE LEADALKO – Zhvillimi i Kapaciteteve Udhëheqëse në Arsimin e Lartë në Shqipëri dhe Kosovë.
Dita e dytë e programit iu kushtua Modulit 7: Krijimi i Ndikimit për Shoqërinë, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin e institucioneve të arsimit të lartë në adresimin e sfidave shoqërore dhe në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Gjatë sesioneve u trajtuan tema që lidhen me shfrytëzimin e potencialeve dhe burimeve universitare për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërisë, harmonizimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit me interesat e komunitetit, si dhe fuqizimin e studentëve dhe të diplomuarve si agjentë të ndryshimit.
Dita e tretë u fokusua në prezantimin e Projekteve të Ndryshimit (Change Projects), të zhvilluara nga grupet pjesëmarrëse gjatë programit. Tre grupe prezantuan iniciativat e tyre inovative që synojnë përmirësimin e proceseve institucionale dhe rritjen e ndikimit të institucioneve të arsimit të lartë. Projektet u fokusuan në forcimin e funksionimit të Departamentit Profesional dhe Pedagogjik, rritjen e angazhimit të studentëve dhe stafit përmes ndryshimeve organizative dhe kulturore, si dhe përmirësimin e mirëqenies së studentëve përmes qasjes më të lehtë në shërbime ushqimore me kosto të përballueshme.
Në kuadër të projektit të tretë, pjesëmarrësit realizuan një vizitë studimore në Ku’zina – Kuzhina Qendrore e Prishtinës, ku u arrit një rezultat konkret dhe i rëndësishëm për studentët. Gjatë vizitës u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Kolegjit Biznesi dhe Ku’zinës, e cila do t’u mundësojë studentëve qasje në ushqime cilësore dhe të shëndetshme me çmime shumë të favorshme.
Kjo marrëveshje paraqet një shembull të shkëlqyer se si projektet e ndryshimit të zhvilluara në kuadër të programit mund të shndërrohen në iniciativa konkrete me ndikim të drejtpërdrejtë për studentët. Përmes këtij bashkëpunimi, studentët do të kenë mundësinë të përfitojnë shërbime ushqimore me kosto të ulët, duke kontribuar në mirëqenien e tyre sociale dhe akademike.
Përmbyllja me sukses e këtij pilotimi dëshmon angazhimin e partnerëve të projektit LEADALKO për të forcuar lidershipin në arsimin e lartë, për të nxitur inovacionin institucional dhe për të krijuar zgjidhje praktike që sjellin përfitime të prekshme për studentët dhe komunitetin.





