THIRRJE PËR APLIKIM PËR MOBILITET STUDENTOR NË KUADËR TË ERASMUS+ University of Education Salzburg Stefan Zweig, Austri
THIRRJE PËR APLIKIM PËR MOBILITET STUDENTOR NË KUADËR TË ERASMUS+
Për studentët e Fakultetit të Edukimit – Viti III dhe IV
Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë, në kuadër të programit Erasmus+, hap thirrje për aplikim për 2 kuota për mobilitet studentor në University of Education Salzburg Stefan Zweig, Austri, për semestrin veror të vitit akademik 2026/2027.
Mobiliteti u mundëson studentëve të përzgjedhur të ndjekin studimet për një semestër në institucionin partner dhe të përfitojnë përvojë akademike dhe ndërkulturore në një institucion të arsimit të lartë evropian.
KUSH MUND TË APLIKOJË?
Në këtë thirrje mund të aplikojnë:
Studentët e Fakultetit të Edukimit të UIBM-së;
Studentët e vitit III dhe IV të studimeve Bachelor;
Studentët që plotësojnë kriterin e detyrueshëm të njohjes së gjuhës angleze në nivelin së paku B1.
INFORMACIONE PËR MOBILITETIN
Institucioni pritës: University of Education Salzburg Stefan Zweig, Salzburg, Austri
Numri i kuotave: 2
Semestri: Semestri veror 2027
Periudha e semestrit: 1 mars 2027 – 30 qershor 2027
Ditët e mirëseardhjes: Fundi i shkurtit 2027
Studentët duhet të kenë parasysh se granti Erasmus+ është i lidhur drejtpërdrejt me praninë fizike në institucionin pritës. Studentët që arrijnë pas datës 1 mars 2027 ose largohen para datës 30 qershor 2027 do të përfitojnë grant të reduktuar, në përputhje me rregullat e programit Erasmus+.
KRITERET E PËRZGJEDHJES
Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në përputhje me kriteret dhe procedurat e Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë dhe kërkesat e universitetit partner.
Kandidatët duhet të plotësojnë kriterin e detyrueshëm të gjuhës angleze në nivel së paku B1.
Gjatë procesit të përzgjedhjes do të merren parasysh, ndër të tjera, suksesi akademik, njohja e gjuhës angleze, motivimi për mobilitet dhe përshtatshmëria e programit të studimit me mundësitë akademike të universitetit pritës.
DOKUMENTET E NEVOJSHME
Kandidatët duhet të përgatisin dokumentet e mëposhtme:
Formularin e aplikimit;
Transkriptin e notave / vërtetimin e notave në gjuhën angleze;
CV-në në gjuhën angleze;
Letër motivimi në gjuhën angleze;
Dëshmi për njohjen e gjuhës angleze në nivel B1 ose më të lartë;
Vërtetim nga Fakulteti i Edukimit që konfirmon nivelin e studimeve dhe vitin akademik.
INFORMACIONE SHTESË
Katalogu i kurseve dhe informatat e tjera për studentët ndërkombëtarë janë të disponueshme në faqen zyrtare të University of Education Salzburg Stefan Zweig:
https://phsalzburg.at/international/student-incomings/
Studentët e interesuar duhet të kontaktojnë Zyrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar të UIBM-së për informata lidhur me procedurën e aplikimit dhe nominimit.
