Prodekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Prof. dr. Kemajl Zeqiri, mori pjesë në takimin e projektit “COST Action REMINDNET” në Zagreb të Kroacisë
Prodekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Prof. dr. Kemajl Zeqiri, mori pjesë në takimin e projektit “COST Action REMINDNET” në Zagreb të Kroacisë
Takimi kishte për qëllim shqyrtimin e ecurisë së aktiviteteve të projektit, dinamizimin e zbatimit të tyre, vlerësimin e përmbushjes së objektivave të përcaktuara, si dhe planifikimin e aktiviteteve për vitin 2027. Në këtë kuadër, u diskutuan edhe aktivitetet e grupeve punuese dhe hapat e mëtejshëm për avancimin e menaxhimit të qëndrueshëm të trashëgimisë minerare dhe zhvillimit të zonave post-minerare.
Gjatë takimit, Prof. Zeqiri prezantoi një përmbledhje të angazhimeve dhe kontributit të tij në kuadër të grupeve punuese (Working Groups – WG) në të cilat është i angazhuar. Vëmendje e veçantë iu kushtua aktiviteteve të WG3, përkatësisht nën-grupit “Tailings Management”, ku Prof. Zeqiri ushtron rolin e liderit të nën-grupit.
Në kuadër të programit të takimit u zhvillua edhe një aktivitet studimor, gjatë të cilit pjesëmarrësit vizituan Muzeun Teknik “Nikola Tesla” në Zagreb, si dhe ish-minierën e bakrit “St. Barbara Mine, Rude” në Samobor. Këto vizita krijuan mundësi për njohje më të drejtpërdrejtë me trashëgiminë industriale dhe minerare të rajonit, si dhe me praktikat e ruajtjes, interpretimit dhe valorizimit të saj në funksion të zhvillimit post-minerar.
Në margjinat e takimit, Prodekani Zeqiri zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të menaxhmentit të Fakultetit të Minierave, Gjeologjisë dhe Inxhinierisë së Naftës në Zagreb. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional ndërmjet dy institucioneve, ndërsa palët u dakorduan për inicimin e procedurave për lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy fakulteteve. Marrëveshja synon të krijojë një bazë më të qëndrueshme për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, mobilitetit akademik dhe projekteve ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në këtë takim përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive profesionale, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e rolit të Fakultetit të Gjeoshkencave në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të trashëgimisë minerare dhe zhvillimit post-minerar.
