U mbajt Ceremonia e Diplomimit për gjeneratën 2025/26 në UIBM
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të hënën Ceremonia e Diplomimit për gjeneratën 2025/26, ku përveç të diplomuarve morën pjesë edhe familjarë dhe mysafirë të tjerë. Pjesë e kësaj ngjarje festive ishin edhe përfaqësues të biznesit dhe ish-studentë të UIBM që janë dalluar me sukseset e tyre.
Fillimisht të pranishmëve ju drejtua me një fjalë rasti rektorja, prof.dr. Nurten Deva, e cila uroi të diplomuarit dhe familjet e tyre. “Diplomimi i fëmijëve tuaj, studentëve tanë, është një moment që shënon jo vetëm një sukses personal, por edhe një reflektim të punës dhe angazhimit tonë të përbashkët”.
Gjithsesi, tha rektorja, ky është një moment që mbyll një etapë dhe hap një tjetër për studentët që kanë rrugëtuar bashkë me stafin akademik. “Për stafin akademik është një ndjenjë krejt e veçantë kur sheh gjeneratat e studentëve që shquhen me të arriturat e tyre. Është ndjenjë gëzimi dhe krenarie, prandaj më lejoni që t’i falënderoj të gjithë mësimdhënësit për përkushtimin e tyre”, tha Deva.
Në shenjë mbështetjeje dhe bashkëpunimi me biznesin, fjalë rasti iu dha drejtorit të kompanisë “InstaBuild”, Mentor Pllana. Ai foli për rrugëtimin e kompanisë së tij dhe inkurajoi studentët që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre përkundër vështirësive që hasin.
Asistentja e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Gonxhe Kajtazi, foli për përvojën e saj si studente në UIBM. Ajo vlerësoi punën e mirë të stafit akademik dhe ndikimin që ka pasur UIBM-i në rrugëtimin e saj akademik.
Pas ndarjes së certifikatave për të diplomuarit nga rektorja dhe dekanët përkatës, në hyrje të objektit u realizuan fotografi të përbashkëta duke hedhur kapelat. Në vitin akademik 2025/26 në UIBM kanë diplomuar 239 studentë.







