12

Ligjëratë publike në kuadër të lëndës “E Drejta Ndërkombëtare”

Në kuadër të orëve të ligjëratave të lëndës E Drejta Ndërkombëtare, me bartës të lëndës Prof. Asoc. Dr. Besnik Murati, në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), z. Tahir Shabani, President i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Gjenevë, Zvicër, si dhe Ambasador dhe Lider për Paqen Botërore, mbajti një ligjëratë publike me ftesë të Dekanit të Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi.

Ligjërata trajtoi çështje me rëndësi të veçantë për diplomacinë bashkëkohore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, me theks të veçantë në diplomacinë ndërkombëtare, vlerat dhe traditën diplomatike të Republikës Franceze, bashkëpunimin universitar në hapësirën frankofone, si dhe rolin e lobimit diplomatik pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë.

Përmes kësaj ligjërate, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre teorike dhe të njihen më nga afër me dimensionet praktike të diplomacisë, përfaqësimit ndërkombëtar dhe bashkëpunimit institucional. Trajtimi i këtyre temave kontribuon në ndërlidhjen e përmbajtjes akademike të së Drejtës Ndërkombëtare me zhvillimet dhe praktikat e diplomacisë bashkëkohore.

Aktivitete të tilla përbëjnë një vlerë të shtuar për procesin mësimor universitar, pasi nxisin mendimin kritik, dialogun akademik dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, duke kontribuar në përgatitjen e studentëve për sfidat e së ardhmes në fushën e drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë shpreh mirënjohjen për z. Tahir Shabani për kontributin e tij akademik dhe profesional, si dhe për Prof. Dr. Islam Qerimin dhe Prof. Besnik Muratin për angazhimin në promovimin e bashkëpunimit akademik dhe pasurimin e përvojës studimore të studentëve. Bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe profesionistëve të fushës mbetet një element i rëndësishëm në avancimin e cilësisë së arsimit juridik dhe në formimin e juristëve me perspektivë ndërkombëtare.

13
Shperndaj ne: