12

Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë pjesë e takimit vjetor të rrjetit të Universiteteve të rajonit të Danubit (DRC) në Bullgari

Menaxhmenti i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë mori pjesë në Takimin Vjetor të Rrjetit të Universiteteve të Rajonit të Danubit (Danube Rectors’ Conference – DRC), i cili u mbajt më 4–6 nëntor 2026, në Universitetin e Ruses “Angel Kanchev”, në Bullgari.

Takimi, me temën “Fuqizimi, Inovacioni dhe Prosperiteti i Rajonit të Danubit përmes Bashkëpunimit Universitar”, mblodhi përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë nga vende të ndryshme evropiane, duke ofruar një platformë për shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e partneriteteve dhe avancimin e bashkëpunimit akademik e kërkimor.

Rrjeti DRC përfshin 73 institucione të arsimit të lartë nga 15 shtete evropiane: Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Italia, Kosova, Moldavia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia, Ukraina, Hungaria, Kroacia dhe Republika Çeke. Ky rrjet promovon mobilitetin akademik, projektet e përbashkëta kërkimore-shkencore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Gjatë këtij aktiviteti, Rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, Prof. Dr. Nurten Deva, zhvilloi takime bilaterale me Rektoren e Universitetit të Ruses “Angel Kanchev”, Prof. Dr. Desislava Stoyanova Atanasova, si dhe me Prof. Dr. Tereza Trencheva nga Universiteti i Studimeve Bibliotekare dhe Teknologjive të Informacionit. Në këto takime u diskutuan mundësitë e vendosjes dhe avancimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, përmes shkëmbimit të stafit dhe studentëve, aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kërkimore, si dhe zhvillimit të projekteve në kuadër të programeve ndërkombëtare.

Programi përfshiu gjithashtu panelin diskutues mbi kontributin e universiteteve në zhvillimin e Strategjisë së Danubit dhe prioriteteve të saj, Asamblenë e Përgjithshme të DRC-së, si dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Danubius Awards”, të cilat vlerësojnë kontributet në bashkëpunimin dhe zhvillimin akademik në rajon.

Pjesëmarrja në këtë forum dhe takimet me përfaqësuesit e universiteteve partnere dëshmojnë përkushtimin e Universitetit “Isa Boletini” për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve strategjike dhe krijimin e mundësive të reja për mobilitet akademik, kërkim shkencor dhe zhvillim institucional, në funksion të integrimit të mëtejshëm në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.

 

Shperndaj ne: