1

Studenti i UIBM, Amir Veliu, mori pjesë në “Forumin Mbarëkombëtar Rinor “Fol Shqip” – Një Gjuhë, Një Kulturë, Një Identitet”

Me nismë dhe organizim të përbashkët të Kuvendit të Rinjve të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Rinisë së Shqipërisë, Forumi Mbarëkombëtar Rinor “Fol Shqip” u zhvillua përgjatë dy ditëve në Tiranë dhe Manastir, duke bashkuar të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rreth gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit tonë të përbashkët. Pjesë e këtij Forumi ishte edhe studenti i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Amir Veliu.

Dita e parë në Tiranë u pasurua me aktivitete kulturore dhe interpretime të këngëve tradicionale shqiptare, ndërsa dita e dytë vijoi në Manastir, në shënim të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Një nga rezultatet më të rëndësishme të Forumit ishte mandati i dhënë tre përfaqësuesve nismëtarë; Dashnor Veizaj, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Rinisë së Shqipërisë; Drilona Dedinca, Kryetare e Kuvendit të Rinjve të Kosovës; dhe Mevlan Ademi, Kryetar i Lëvizjes Studentore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si kryesues të procesit të hartimit dhe të Rezolutës Amë për Gjuhën, Kulturën dhe Identitetin Kombëtar.

Në kuadër të Forumit u miratua unanimisht Rezoluta Amë nga delegatët në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një zotim të përbashkët për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. “Fol Shqip” synon të shndërrohet në një platformë të përvitshme të bashkëpunimit mbarëkombëtar, duke forcuar lidhjet dhe nismat e përbashkëta ndërmjet të rinjve dhe institucioneve rinore shqiptare.

2
3
Shperndaj ne: