Rektorja Deva merr pjesë në Takimin e 10-të të BUA-së dhe Konferencën Ndërkombëtare BRIDGE 2026 në Prizren
Rektorja e Universitetit “ISA BOLETINI” në Mitrovicë, Prof.dr. Nurten Deva mori pjesë në Takimin e 10-të të Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA) dhe në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare Shkencore BRIDGE 2026, të cilat u mbajtën më 20 dhe 21 nëntor 2026, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Këto dy ngjarje të rëndësishme akademike bashkuan përfaqësues të universiteteve, rektorë, profesorë, studiues dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, avancimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Në kuadër të Takimit të 10-të të BUA-së, diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve të rajonit, zgjerimin e rrjetit të anëtarësimit, mobilitetin akademik, si dhe identifikimin e prioriteteve dhe mundësive të reja për projekte të përbashkëta ndërkombëtare.
Ndërkaq, Konferenca BRIDGE 2026, nën moton “Connecting Knowledge, Innovation and Society for a Sustainable Future” trajtoi tema me rëndësi bashkëkohore, duke përfshirë inteligjencën artificiale, transformimin digjital, inovacionin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rolin e universiteteve në përballjen me sfidat e shoqërisë moderne.
UIBM mbetet i përkushtuar në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit të përvojave akademike dhe zhvillimit të iniciativave që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

