Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë bashkëorganizator i Konferencës së 3-të Ndërkombëtare Vjetore në Tiranë
Më 20 nëntor 2026, në Tiranë, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë ishte bashkëorganizator i edicionit të tretë të Konferencës Ndërkombëtare Vjetore, me temën “From Transformation to Integration: Digital Innovation, Governance, and Economic Development in EU Candidate Countries”.
Në kuadër të kësaj konference, përfaqësues të Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” prezantuan rezultatet e hulumtimeve të tyre shkencore, duke kontribuar në diskutimet akademike mbi transformimin digjital, qeverisjen, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik në vendet evropiane. Në këtë aktivitet shkencor, Prof. Dr. Esat Durguti, anëtar i stafit të rregullt akademik të Fakultetit Ekonomik, së bashku me Njomza Gashi, ish-studente e këtij fakulteti, prezantuan gjetjet e punimit shkencor me titull: “E-Government and the Rule of Law: The Role of Digital Transparency, User-Centricity, and Institutional Integrity: Evidence from European Economies”.
Ndërkaq, Dr. Ereza Arifi, si personel akademik i angazhuar në Fakultetin Ekonomik, prezantoi rezultatet e punimit shkencor me titull: “Financial Sustainability and Digitalization under Global Macroeconomic Shocks: Evidence from Western Balkan”.
Pjesëmarrja dhe prezantimi i këtyre punimeve dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të stafit akademik dhe bashkëpunëtorëve të Fakultetit Ekonomik në zhvillimin e kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin e aktiviteteve akademike dhe prezantimin e rezultateve hulumtuese në platforma ndërkombëtare. Bashkëorganizimi dhe pjesëmarrja në konferenca të tilla përbëjnë një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave shkencore dhe forcimin e rolit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë në hapësirën akademike ndërkombëtare.
