Fakulteti Ekonomik bashkëpunon me Institutin për Auditim të Brendshëm dhe Kontrolle (IABK)
Më 23 nëntor 2026, në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe Institutit për Auditim të Brendshëm dhe Kontrolle (IABK). Në emër të Fakultetit Ekonomik, marrëveshja u nënshkrua nga dekani, Prof. Dr. Qazim Tmava, i shoqëruar nga Prof. Dr. Esat Durguti, Prodekan për Hulumtim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, si dhe Prof. Asoc. Dr. Filloreta Kunoviku-Demiri, Prodekane për Mësim dhe Cilësi. Ndërsa, në emër të IABK-së, marrëveshja u përfaqësua nga Drejtoresha Ekzekutive, Znj. Mirlinda Ahmeti, dhe koordinatori i zbatimit të kësaj marrëveshje, Zt. Halit Kadriu.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi dhe avancimi i bashkëpunimit institucional, me fokus të veçantë në këmbimin e përvojave profesionale, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe fuqizimin e komponentës së hulumtimit shkencor. Një ndër shtyllat e rëndësishme të këtij bashkëpunimi është edhe mundësimi i realizimit të praktikës profesionale për studentët, duke u krijuar atyre mundësi konkrete për të fituar përvojë dhe për të zbatuar njohuritë e fituara gjatë studimeve.
Gjatë takimit dhe ceremonisë së nënshkrimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe profesional, duke vënë në pah nevojën për krijimin e një ure lidhëse ndërmjet njohurive teorike dhe praktikës profesionale. Njëkohësisht, u theksua se bashkëpunimi i tillë kontribuon në përgatitjen më të mirë të studentëve për tregun e punës dhe në avancimin e kapaciteteve profesionale e akademike të të dy institucioneve. Kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të partneriteteve institucionale, promovimit të ndërlidhjes ndërmjet akademisë dhe profesionit, si dhe krijimit të mundësive të reja për studentët, stafin akademik dhe profesionistët e fushës së auditimit të brendshëm dhe kontrollit.


