Biblioteka e UIBM drejt përfshirjes në sistemin COBISS
Më 9 shtator 2025, në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u mbajt takimi online inicues për përfshirjen e Bibliotekës së UIBM në sistemin COBISS. Në këtë takim morën pjesë stafi i bibliotekës dhe udhëheqësi i saj, Alban Fazliu, të cilët prezantuan nevojat dhe prioritetet për modernizimin e shërbimeve bibliotekare.
Në takim ishte i pranishëm edhe Prorektori për Kërkime, prof. asoc. dr. Bahtir Hyseni, i cili theksoi rëndësinë që ka ky sistem për përmbushjen e objektivave të universitetit, sidomos në drejtim të ofrimit sa më të lehtë dhe efikas të shërbimeve për studentët dhe stafin akademik.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e IZUM Arjeta Sadiku, përgjegjëse për implementimin e COBISS, theksoi përkushtimin për të ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe nënvizoi rëndësinë e trajnimeve që do të ndjekë stafi i bibliotekës për aktivizimin dhe funksionalizimin e plotë të sistemit në UIBM.
Ky hap paraqet një zhvillim të rëndësishëm për universitetin, pasi përfshirja në COBISS do të mundësojë integrimin e Bibliotekës së UIBM në rrjetin kombëtar dhe ndërkombëtar të bibliotekave, duke rritur qasjen në literaturë shkencore dhe duke lehtësuar procesin e hulumtimit për studentët dhe stafin akademik.
