Certifikohen 22 anëtarë të stafit akademik të UIBM nga Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie në UP
Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe fuqizimit të kapaciteteve profesionale të stafit akademik, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) po vazhdon me organizimin e trajnimeve të rregullta dhe të vazhdueshme për stafin e tij akademik. Në kuadër të këtij angazhimi, u realizua me sukses trajnimi me temë “Planifikimi dhe implementimi i mësimdhënies në arsimin e lartë”, i cili u organizua nga Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie në Universitetin e Prishtinës.
Kësaj radhe, 22 staf akademik nga UIBM u trajnuan dhe u certifikuan me sukses, duke dëshmuar përkushtimin e institucionit ndaj zhvillimit profesional dhe ndjekjes së praktikave bashkëkohore pedagogjike. Temat e trajtuara përfshinë planifikimin e njësive mësimore, metodat moderne të mësimdhënies, përdorimin e teknologjisë në klasë, si dhe vlerësimin e të nxënit nga studentët. Pjesëmarrësit treguan angazhim të lartë dhe kontribuuan në një atmosferë bashkëpunuese dhe reflektuese.
Pas përfundimit të trajnimit, UIBM organizoi një ceremoni solemne, gjatë së cilës pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje.
