Sbashk

Drejtuesit e SBASHK-ut vizituan Universitetin “Isa Boletini”

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, priti të mërkurën në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i cili shoqërohej edhe nga bashkëpunëtorët e tij. Në takim u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet menaxhmentit dhe sindikatës në Universitet si dhe për të arriturat dhe sfidat e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Rektori Musaj, theksoi se në Universitetin “Isa Boletini” ka një organizim të mirë sindikal dhe kanë një bashkëpunim shumë të mirë. “Ne çmojmë punën e mirë të sindikatës që funksionon në Universitetin tonë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, vlerësoi mbështetjen që menaxhmenti i Universitetit ka ofruar për sindikatën. “Është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet menaxhmentit dhe sindikatës”, tha ai, duke inkurajuar edhe institucionet dhe organizatat tjera që ta bëjnë një gjë të tillë.