Fakulteti Ekonomik organizon simulim intervistash pune për studentët në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës
Në kuadër të lëndës “Komunikimi në Biznes”, studentët e Fakultetit Ekonomik realizuan një detyrë seminarike me fokus përgatitjen për tregun e punës. Si pjesë e kësaj detyre, ata përzgjodhën konkurse të shpallura në portale të ndryshme të punës ose nga organizata të ndryshme dhe përgatitën dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, përfshirë CV-në dhe Letrën Motivuese për pozitën e përzgjedhur.
Për të plotësuar këtë proces me një përvojë sa më praktike dhe reale, Fakulteti Ekonomik, në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës, organizoi një aktivitet të hapur në ambientet e kampusit të Universitetit “Isa Boletini”, i cili ofron një mjedis të bukur, të gjelbëruar dhe frymëzues për zhvillimin e aktiviteteve akademike dhe profesionale. Gjatë aktivitetit, studentët morën pjesë në simulime të intervistave të punës për pozitat ku kishin aplikuar, duke demonstruar aftësitë e tyre komunikuese, profesionale dhe prezantuese. Intervistat u zhvilluan në një atmosferë profesionale dhe dinamike, duke u mundësuar studentëve të përjetojnë nga afër procesin e rekrutimit dhe të fitojnë përvojë të vlefshme për karrierën e tyre të ardhshme.
Komisioni intervistues përbëhej nga Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Qazim Tmava, Prof. Asoc. Dr. Ajtene Avdullahi, Asistentja Dr. Altina Kamberaj, si dhe Zyrtari i Lartë për Zhvillim të Karrierës, z. Erzen Isufi. Me këtë rast, Dekani Prof. Dr. Qazim Tmava falënderoi stafin akademik dhe përfaqësuesin e Qendrës për Zhvillim të Karrierës për organizimin e këtij aktiviteti, duke theksuar se iniciativa të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen e studentëve për tregun e punës dhe në zhvillimin e kompetencave të tyre profesionale.
Universiteti “Isa Boletini” vazhdon të ofrojë kushte të shkëlqyera për mësim, punë dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme akademike, si brenda objekteve universitare ashtu edhe në ambientet e jashtme të kampusit, duke krijuar mundësi të vazhdueshme për zhvillimin praktik dhe profesional të studentëve.



