Fakulteti Juridik bashkëpunon me Fakultetin Juridik të “Kolegjit Universitar Qiriazi”
Në një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe profesional, dekanët e dy institucioneve të arsimit të lartë në fushën e drejtësisë, prof. dr. Islam Qerimi nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe prof. asoc. Enida Bozheku (Av/PhD) nga Fakulteti Juridik i “Kolegjit Universitar Qiriazi”, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.
Ky memorandum synon krijimin e një kuadri të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërinstitucional, me qëllim rritjen e cilësisë në arsimin juridik dhe përmirësimin e mundësive për zhvillim profesional të burimeve njerëzore. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, palët do të ofrojnë mbështetje të ndërsjellë në zhvillimin dhe ofrimin e programeve të studimit në nivelin baçelor dhe master, duke përfshirë edhe konsulencën profesionale nga departamentet juridike respektive.
Memorandumi përfshin gjithashtu angazhimin e të dy institucioneve në hartimin dhe/ose rishikimin e programeve të studimit për t’u përshtatur me nevojat aktuale të tregut të punës. Po ashtu, bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fushën e projekteve ndërkombëtare, me qëllim aplikimin e përbashkët në iniciativa që promovojnë zhvillimin akademik dhe kërkimin shkencor.
Në fokus të bashkëpunimit janë gjithashtu shkëmbimet akademike – si të stafit, ashtu edhe të studentëve – dhe organizimi i punëtorive, tryezave profesionale dhe konferencave shkencore me interes të përbashkët.
Ky memorandum paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të arsimit juridik dhe krijimit të një urë bashkëpunimi që do të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale të të dyja fakulteteve.
