Foto Prof. Orhan

Ftesë: Fakulteti Juridik organizon ligjëratë me prof.asoc.dr. Orhan Çeku

Fakulteti Juridik, më datë 20.05.2026, në ora 10:00, do të organizojë një ligjëratë të veçantë në kuadër të lëndës “E Drejta Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, bartës i së cilës është Prof. Asoc. Dr. Besnik Murati.

Në kuadër të kësaj ligjërate, i ftuar do të jetë Prof. Asoc. Dr. Orhan Çeku, i cili do të trajtojë temën: “Gjenocidi – përkufizimi dhe format e kryerjes së tij”.

Ligjërata synon të ofrojë një trajtim të thelluar akademik dhe juridik mbi konceptin e gjenocidit, elementet përbërëse të tij sipas së drejtës ndërkombëtare, si dhe format dhe mënyrat e manifestimit të këtij krimi ndërkombëtar në praktikën bashkëkohore.

Pjesëmarrja është e hapur edhe për studentët e viteve të tjera, si dhe për të gjithë të interesuarit.

Biografia e Prof. Asoc. Dr. Orhan Çekut

Dr. Sc. Orhan M. Çeku është Profesor i Asociuar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Studimet e doktoraturës i ka përfunduar në State University of Library Studies and Information Technologies, ndërsa studimet master (LL.M.) në fushën e të drejtës penale i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore. Gjithashtu, ai ka përfunduar studimet master (LL.M.) në të drejtën financiare në Universitetin e Prishtinës, ku ka kryer edhe studimet bachelor në drejtësi.

Prof. Çeku është autor i një numri të konsiderueshëm punimesh shkencore në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe studimeve juridiko-penale, si dhe autor i disa monografive shkencore, ndër të cilat veçohen: “Pavarësia e Kosovës dhe Gjeopolitika e Ballkanit Perëndimor në Shekullin XXI” dhe “Korrupsioni i zyrtarëve publikë: veprat penale kundër detyrës zyrtare – koncepti teorik dhe legjislacioni i aplikueshëm”. Aktualisht, ai është në proces të botimit të monografisë “E Drejta Penale Zakonore në Kanunin e Lekë Dukagjinit”.

Ai ka qenë pjesëmarrës në projekte të ndryshme shkencore vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë projektin për analizimin e efektivitetit të gjykatave hibride në gjykimin e krimeve të luftës, në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të Universitetit të Grazit. Po ashtu, është anëtar i Bordit Shkencor të Konferencës Botërore të Sigurisë (World Security Conference).

Në vitin 2018, Prof. Çeku themeloi organizatën joqeveritare “Kosovar Institute for Science and Education – KISED”, institut kërkimor i fokusuar në zhvillimin e studimeve dhe analizave në fusha të ndryshme, si: drejtësia, siguria, antikorrupsioni, krimi i organizuar, gjeopolitika dhe arsimi i lartë.

 

Shperndaj ne: