Intensifikohet bashkëpunimi me kompani për të lehtësuar punësimin e studentëve
Qendra për Zhvillim në Karrierë është duke punuar për krijimin e një rrjeti kontaktesh me punëdhënës që ofrojnë mundësi punësimi për studentë. Së këndejmi është krijuar një komunikim i frytshëm me industrinë dhe organizata të ndryshme që ofrojnë trajnime për studentë.
Në këtë kontekst, të hënën është zhvilluar një takim me drejtuesit e dy kompanive, MatchMe-Al dhe We ARE Sourcing: Doruntina Shatri, Denis Didikovic dhe Shkurte Dragusha, të cilët kanë ofruar mbështetje për trajnime dhe sesione informuese për studentë. U përmenden trajnime për shkathtësi të buta, përgatitjen e CV-së, lehtësimin e komunikimit me punëdhënës etj.
Drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari së bashku me zyrtarin e Lartë të Qendrës për Zhvillim në Karrierë, Erzen Isufi, kanë falënderuar drejtuesit e këtyre kompanive për mundësinë e ofruar. Gjithashtu ata kanë shprehur gatishmërinë për realizimin e projekteve të përbashkëta që do të ndihmonin studentët sa i përket punësimit.
