KOn

Ka nisur  edicioni i VII i Konferencës Ndërkombëtare Multidiciplionare për Gjeoshkencë “IMGC 2025”

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë ka nisur te enjten edicioni i VII i  Konferencës Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë “IMGC 2025” që organizohet nga Fakulteti i Gjeoshkencave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Për dy ditë sa zgjat konferenca do të prezantohen 35 punime shkencore dhe 12 abstrakte nga pjesëmarrës që vijnë nga vendi, rajoni dhe bota, ndërsa “key – speakers” do të jenë nga SHBA, Italia, Turqia dhe Gjermania.

Në ceremoninë e hapjes, fillimisht të pranishmëve ju ka drejtuar kryesuesi i Këshillit Organizativ, prof.asoc.dr. Kemajl Zeqiri. Ai tha se kjo konferencë përfaqëson një traditë tashmë të konsoliduar të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, që çdo vit bashkon studiues, profesorë dhe ekspertë nga vendi dhe nga mbarë bota për të shkëmbyer ide, përvoja dhe rezultate shkencore në fushën e gjeoshkencave.

Pjesëmarrja e gjerë ndërkombëtare, sipas tij, reflekton jo vetëm reputacionin në rritje të konferencës, por edhe përkushtimin e komunitetit akademik për të trajtuar çështje globale që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar, ekonominë qarkore dhe përdorimin racional të resurseve minerale. “Pasurimi i vazhdueshëm i konferencës sonë reflektohet gjithashtu në përfshirjen e studiuesve dhe profesorëve eminentë nga vende të ndryshme në Këshillin Shkencor të Konferencës, puna dhe angazhimi i të cilëve përbëjnë një vlerë të jashtëzakonshme për suksesin e këtij aktiviteti”, tha ai.

Një fjalë rasti në vazhdim e ka mbajtur dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Festim Kutllovci, i cili shprehu kënaqësinë që në emër të Fakultetit të Gjeoshkencave ka mundësinë t’i mirëpres pjesëmarrësit në Konferencën e VII Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Critical Minerals, the Circular Economy, and Sustainable Development” – “Mineralet kritike, ekonomia qarkore dhe zhvillimi i qëndrueshëm”. Kjo temë, sipas tij, përfaqëson një nga sfidat dhe mundësitë më të mëdha të shekullit XXI – mënyrën se si njerëzimi do t’i shfrytëzojë vendburimet minerale për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, të drejtë dhe të begatë.

Ai theksoi se në një botë që po kalon në tranzicion energjetik, ku teknologjia dhe ekonomia po lidhen ngushtë me gjeoshkencat, mineralet kritike janë bërë elementi kyç për zhvillim e një vendi. “Toka është arkivi më i vjetër i historisë sonë dhe gjithashtu pasqyra më e ndjeshme e veprimeve tona. Çdo vendburim  që hulumtojmë, çdo vendburim minerale që ne shfrytëzojmë, bart në vete një histori miliona vjeçare – një kujtesë natyrore që na fton ta trajtojmë me respekt dhe mençuri. Kjo konferencë është dëshmi e përkushtimit tonë si institucion arsimor dhe kërkimor për të qenë pjesë aktive e debatit shkencor global”, tha dekani.

Në emër të UIBM të pranishmëve ju ka drejtuar me një fjalë përshëndetëse rektorja, prof.dr. Nurten Deva. Ajo u shpreh e lumtur me suksesin dhe vazhdimësinë e kësaj konference, për çka i falënderoj të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e Këshillit Organizativ, partnerët dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.

Rektorja Deva tha se kjo ngjarje është një tregues i punës së mirë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe përkushtimit për të krijuar kushte dhe mundësi për zhvillimin e gjeoshkencave në veçanti dhe shkencës në përgjithësi. “Si menaxhment jemi të përkushtuar që të krijojmë një ambient sa më të përshtatshëm për shkencën. Në këtë kontekst, jemi duke u angazhuar që të krijojmë një infrastrukturë ligjore që stimulon kërkimet shkencore dhe siguron mbështetje të nevojshme për stafin akademik dhe studentët që merren me projekte shkencore”, tha rektorja.

Në emër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale ka folur z. Habib Basholli, ndërsa në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, drejtori i Departamentit të Minierave, Skënder Sallahu. Pas ceremonisë së hapjes, konferenca ka vazhduar në grupe punuese ku do të prezantohen punimet dhe abstraktet e paraqitura. Konferenca vazhdon punën edhe të premten.

 

2 Gj
Shperndaj ne: