Foto 1

Ka nisur Konferenca Ndërdisiplinore Ndërkombëtare “Vazhdimësia historike dhe ndryshimi: Ballkani në kontekst evropian dhe global”

Ka nisur të premten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Konferenca Ndërdisiplinore Ndërkombëtare “Vazhdimësia historike dhe ndryshimi: Ballkani në kontekst evropian dhe global”. Konferenca që është organizuar nga Universiteti “Isa Boletini” në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Kolegji “AAB”, ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm, duke mbledhur studiues nga 18 vende të ndryshme evropiane dhe ato të rajonit.

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, në ceremoninë e hapjes së kësaj konference, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në organizimin dhe mbarëvajtjen e saj. “Është një nder dhe kënaqësi e veçantë, që jemi bashkë me ju sot në këtë konferencë, që padyshim se paraqet një ngjarje të shënuar për Universitetin tonë. Për të qenë edhe më madhështore, kjo konferencë është ngjarja e parë me rëndësi që mbahet në kampusin e ri universitar në Mitrovicë”.

Sipas tij, kjo konferencë shkencore është një ogur i mirë për ndryshimet pozitive në këtë pjesë të Evropës, megjithëse tepër të ngadalshme dhe me pengesa të mëdha. “Në anën tjetër, konferenca është një rast i mirë për studiues nga vende të ndryshme, mandej nga rajoni dhe vendi ynë, që të shkëmbejnë përvojat e tyre studimore që lidhen me natyrën e temës që trajtohet. Kjo pjesë e Evropës ka shumë nevojë për konferenca shkencore, për organizime të njerëzve të shkencës dhe dijes, të cilët shpërthejnë rrathët e të menduarit dhe të vepruarit me logjikën e së kaluarës”.

Në emër të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të pranishmit i përshëndeti, profesori, Lekë Sokoli. Ai tha se në imazhin e tyre, Mitrovica është një mit, një frymëzim dhe një sfidë. “Ideja për ta parë Ballkanin ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes, nuk mund të realizohet askund më mirë sesa në Mitrovicë”, tha ai.

Ndërsa, akademik Servet Pëllumbi, shprehu gëzimin që gjendet në Mitrovicë dhe aq më tepër në kampusin e ri  universitar të këtij qyteti. Ai gjithashtu vlerësoi mbajtjen e kësaj konference dhe praninë e një numri të madh studiuesish.

Sipas , koordinatorit të konferencës, Besim Gollopeni, gjatë dy ditëve  sa do të zgjas konferenca do të prezantohen 160 punime shkencore. “Janë gjithsej 220 autorë dhe bashkautorë që vijnë nga 18 vende të ndryshme që do ta marrin pjesë në 15 sesione të ndara”.

Të shtunën  fjalën kryesore për temën:  “Ballkani në Kontekst Evropian dhe Global”, do ta kenë profesori, Max Haller, nga Universiteti i Gracit në Austri, profesori, Russell  King, nga Universiteti “Sussex” nga Mbretëria e Bashkuar dhe profesori, Ilir Gedeshi nga Universiteti i Tiranës.