Mbyllet Konferenca për Gjeoshkencë “IMGC 2025” që mbledh studiues nga vendi, rajoni dhe bota
Me vizita në disa nga kompanitë e mëdha kosovare, sikur “Trepça”, “KEK” etj, është mbyllur Konferenca Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë “IMGC 2025”, e cila është mbajtur për dy ditë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Në edicionin e shtatë të kësaj konference, janë prezantuar 35 punime shkencore dhe 12 abstrakte nga pjesëmarrës nga vendi, rajoni dhe bota, përderisa “key – speakers” kanë qenë nga SHBA, Italia, Turqia dhe Gjermania.
Kjo konferencë tradicionale organizohet nga Fakulteti i Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Kryesuesi i Këshillit Organizativ, prof.asoc.dr. Kemajl Zeqiri, tha se konferenca është menaxhuar mirë dhe gjithçka ka rrjedhur sipas planifikimeve.
Pjesëmarrja e gjerë ndërkombëtare, sipas tij, reflekton jo vetëm reputacionin në rritje të konferencës, por edhe përkushtimin e komunitetit akademik për të trajtuar çështje globale që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar, ekonominë qarkore dhe përdorimin racional të resurseve minerale. “Pasurimi i vazhdueshëm i konferencës sonë reflektohet gjithashtu në përfshirjen e studiuesve dhe profesorëve eminentë nga vende të ndryshme në Këshillin Shkencor të Konferencës, puna dhe angazhimi i të cilëve përbëjnë një vlerë të jashtëzakonshme për suksesin e këtij aktiviteti”, tha ai.

