Sher 5

Më 14 tetor 2025, ekipi SHER organizoi Punëtorinë Fillestare me përfituesit e përzgjedhur të granteve në kuadër të Skemës së Vogël të Granteve për Dimensionin Social.

Punëtoria mblodhi përfaqësues nga institucionet e arsimit të lartë dhe organizatat, projektet e të cilave janë shpërblyer në kuadër të kësaj skeme. Nga UIBM, mori pjesë Prof.ass.dr.EDBA. Filloreta Kunoviku Demiri, si koordinatore e projektit “EmpowerHER: Bridging Gender Equality, Mental Health, and Entrepreneurship for Female Students”, e cila në emër të ekipit të projektit prezantoi objektivat, aktivitetet kryesore dhe punën e kryer deri më tani.

Ngjarja kishte për qëllim prezantimin e iniciativave të përzgjedhura, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet përfituesve të granteve dhe krijimin e një mirëkuptimi të përbashkët për objektivat, proceset dhe pritjet lidhur me zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve që promovojnë përfshirjen, barazinë dhe qasjen brenda sektorit të arsimit të lartë në Kosovë.

Seanca u moderua nga Louise Sperl, Drejtoreshë e Projekteve në WUS Austria, dhe Shqiponjë Kodraliu, Zyrtare e Programit në ekipin SHER, me kontributet e vlefshme të Donjeta Ibra, Menaxhere e Zyrës, ekipi SHER. Falë udhëheqjes së tyre, u sigurua një ambient interaktiv dhe gjithëpërfshirës ku pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbejnë përvoja, të reflektojnë mbi sfidat dhe të eksplorojnë mundësi për të nxënë në mënyrë të përbashkët.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit:

  • Morën një pasqyrë të përgjithshme për Programin SHER dhe rolin e tij në avancimin e dimensionit social të arsimit të lartë në Kosovë;
  • Prezantuan projektet e tyre përmes posterave dhe prezantimeve të shkurtra, duke theksuar qasjet inovative dhe zgjidhjet kreative për tejkalimin e pengesave në qasje dhe pjesëmarrje;
  • U angazhuan në diskutime plenare, ku identifikuan mundësi për sinergji dhe fusha të bashkëpunimit ndërmjet projekteve me qëllim maksimizimin e ndikimit kolektiv;
  • Diskutuan mbi udhëzimet për raportim, komunikim dhe diseminim, duke theksuar transparencën, llogaridhënien dhe dukshmërinë e rezultateve të projekteve.

Kjo punëtori shënoi një moment të rëndësishëm në zbatimin e Skemës së Vogël të Granteve për Dimensionin Social, duke forcuar angazhimin e programit SHER për ndërtimin e sistemeve të arsimit të lartë gjithëpërfshirëse dhe të barabarta.

 

Shperndaj ne: