Ballina 1

Ministri i MASH-it, Hajrulla Çeku, mbajti takime në UIBM për hartimin e strategjisë së arsimit në Kosovë

Ministri i  Arsimit dhe Shkencës (MASH), Hajrullah Çeku, ka qëndruar të mërkurën për vizitë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku ka zhvilluar një takim me menaxhmentin si dhe stafin akademik dhe administrativ. Në takim është diskutuar për hartimin e strategjisë për arsim për një periudhë 10-vjeçare.

Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, e ka falënderuar ministrin për vizitën dhe mundësinë që bashkërisht të diskutojnë për hartimin e strategjisë së arsimit.  Ajo ka vlerësuar qasjen gjithëpërfshirëse në këtë proces tepër të rëndësishëm për arsimin.

Ministri Çeku i cili shoqërohej edhe nga kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimitdhe Shkencës  në Kosovë (SHBASHK), Rrahman Jasharaj, tha se takime të tilla janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit dhe do të vazhdojnë.  “Parimi themelor është që dokumentin ta hartojmë bashkë në mënyrë që të përfshihen të gjithë dhe vetëm pasi të sigurohemi se kemi pajtimin e përgjithshëm do ta dërgojmë në qeveri”.

Ministri theksoi se kanë nevojë për vendime dhe veprime që nuk janë të lehta. “Na duhet konsensus në shoqëri, meqë duhen reforma dhe veprime serioze për ta ndryshuar gjendjen në arsim dhe faza e ardhshme e reformës bëhet përmes ristrukturimit të përgjithshëm.

Kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se janë zotuar ta mbështesin ministrin për hartimin e kësaj strategjie. “Gjithashtu do të punojmë edhe për kontratën kolektive për të gjithë punëtorët e arsimit”.

Pas fjalës së tyre në takim kanë diskutuar edhe dekanë dhe profesorë të UIBM, të cilët kanë shprehur pikëpamjet e tyre për zhvillimin e arsimit. Një takim tjetër në UIBM ministri e ka zhvilluar me mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Mitrovicës.

DSC 1215
Shperndaj ne: