Ministrja Hoxha

Ministrja Hoxha mbajti ligjëratë para studentëve të Fakultetit Juridik

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka mbajtur të martën një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Ajo ka folur për rëndësinë e sundimit të ligjit si dhe për të drejtën e grave në trashëgimi pronësore.

Ministrja Hoxha, tha se sundimi i ligjit është jetik për një shtet funksional dhe të zhvilluar. “Sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit është prioritet, prandaj këtë mesazh duhet ta bartni edhe ju si studentë të drejtësisë sot dhe si gjyqtarë apo prokurorë nesër”.

Ajo foli edhe për Ligjin që siguron të drejtën e trashëgimisë pronësore nga gratë. Tha se do të vazhdojnë me fushata sensibilizuese për këtë të drejtë.

Në anën tjetër, studentët kanë shprehur interesim për aspekte të ndryshme që lidhen me fushën e drejtësisë në Kosovë. Ndërsa rektori, Alush Musaj dhe dekani i Fakultetit Juridik, Bashkim Preteni, e kanë falënderuar ministren për vizitën dhe ligjëratën e mbajtur.