Me Studentet E Juridikut

Mirënjohje për studentët që kanë zënë vendin e parë në garën për gjykim të simuluar

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj dhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ali Topalli, kanë pritur të enjten në takim profesorët, Islam Qerimi e Xhemajl Veliqi,  si dhe grupin e studentëve të Fakultetit Juridik, të cilët kanë fituar vendin e parë në garën për gjykim të simuluar në lëmin penal. Me këtë rast rektori Musaj, ka ndarë mirënjohje për profesorët dhe studentët që kanë marrë pjesë në këtë garë të  sponzorizuar nga USAID-i, ku studentët mitrovicas kanë lënë pas studentët nga Universiteti i Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit.

Rektori Musaj, uroi profesorët dhe studentët për suksesin e arritur në këtë garë. “Sukseset tuaja janë tregues i punës së mirë dhe me përkushtim që po bëhet në universitetin tonë. Gjithashtu ky sukses ju nderon juve, profesorët tuaj dhe gjithë universitetin tonë”, tha ai.

Ndryshe për suksesin e arritur në këtë garë, Këshilli Drejtues i UMIB-it, ka marrë vendim që të shpërblej me nga 150 euro studentët pjesëmarrës.