Një grup profesorësh nga Universiteti Gazi nga Turqia qëndruan për vizitë në UIBM
Një grup profesorësh nga Universiteti Gazi nga Turqia që ishin pjesë e konferencës: “Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”, që u mbajt në Prishtinë, të shoqëruar nga zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal kanë vizituar të enjten Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Ata janë pritur në takim nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi.
Rektorja Deva ju ka uruar mirëseardhje profesorëve nga Turqia dhe zyrtarëve të MZHR, duke falënderuar për vizitën në UIBM dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Ajo i ka njohur ata me historikun e arsimit të lartë në Mitrovicës, sfidat dhe të arriturat, duke potencuar edhe projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar që kanë krijuar mundësi për studentë dhe stafin akademik.
Pas takimit në rektorat, delegacioni nga Universiteti Gazi dhe zyrtarët e MZHR të shoqëruar nga rektorja dhe prorektorja kanë vizituar kampusin universitar. Ata kanë parë për së afërmi kushtet e punës dhe mundësitë që ofrohen në UIBM sa i përket studimeve dhe kërkimeve shkencore.
Përndryshe konferenca me temë: “Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”, është mbajtur më 7.05.2025, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Gjithashtu partnerë kanë qenë edhe Universitetit Gazi nga Turqia dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.



