Qa Sure 13

Përfaqësuesit e UIBM marrin pjesë në Konferencën Përfundimtare të projektit Erasmus+ QA-SURE në Tiranë

Përfaqësues nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), përfshirë Prof. Asoc. Dr. Merita Shala – Koordinatore e Projektit, Prof. Dr. Sabri Avdullahi – Prorektor për Cilësi dhe Zhvillim Akademik, Prof. As. Dr. Filloreta Kunoviku Demiri – Prodekane për Mësimdhënie dhe Zhvillim të Cilësisë në Fakultetin Ekonomik, Prof. As. Dr. Zahir Çerkini, Burim Hasani – Drejtor për Financa dhe Buxhet, si dhe Zymber Haliti – Zyra e TI-së, po marrin pjesë në Konferencën Përfundimtare të projektit Erasmus+ “Improving University Quality Assurance Resilient Strategies Toward Excellence – QA-SURE”, që po mbahet më 27–28 tetor 2025 në Universitetin Western Balkans (WBU) në Tiranë, Shqipëri.

Ngjarja bashkon të gjitha institucionet partnere nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian, për të paraqitur rezultatet përfundimtare të projektit, për të reflektuar mbi arritjet dhe për të diskutuar strategjitë e qëndrueshmërisë të mekanizmave të sigurimit të cilësisë të zhvilluara gjatë fazës së implementimit.

Gjatë ditës së parë të konferencës, në emër të UIBM, Prof. Asoc. Dr. Merita Shala prezantoi rezultatet institucionale dhe praktikat e mira të zhvilluara përmes projektit QA-SURE, duke kontribuar në forcimin e sistemeve të brendshme të sigurimit të cilësisë dhe në ngritjen e ekselencës universitare. Sesioni përfshiu gjithashtu prezantime nga universitete partnere në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Slloveni.

Dita e dytë e konferencës i kushtohet takimeve përfundimtare të Komitetit Drejtues dhe Komitetit të Sigurimit të Cilësisë, diskutimeve mbi raportimin financiar, përgatitjes së dorëzimeve përfundimtare dhe bashkëpunimeve të ardhshme ndërmjet anëtarëve të konsorciumit.

Projekti QA-SURE, i koordinuar nga Universiteti Western Balkans (WBU), synon të përmirësojë sistemet e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë përmes praktikave institucionale të qëndrueshme dhe rezistente. Konsorciumi përfshin Universitetin Luarasi, Universitetin Polis, International Business College Mitrovica (IBC-M), Universitetin Isa Boletini Mitrovicë (UIBM), International School for Social and Business Studies (ISSBS) dhe South East European University (SEEU).

Pjesëmarrja e UIBM në këtë ngjarje përfundimtare konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të universitetit për përmirësim të cilësisë dhe përfshirje aktive në projektet evropiane të bashkëpunimit që mbështesin zhvillimin institucional dhe bashkëpunimin rajonal në arsimin e lartë.

Shperndaj ne: