Prof.asoc.dr. Fatos Rexhepi mori pjesë në Shkollën Verore Ndërkombëtare “Food Safety and Healthy Living”
Prof. asoc. Dr. Fatos Rexhepi, nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, mori pjesë në Shkollën Verore Ndërkombëtare “Food Safety and Healthy Living”, e cila u zhvillua në datat 23–25 shtator 2025, në ambientet e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kjo shkollë verore u organizua në kuadër të programit ndërkombëtar CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies) dhe mblodhi studiues, profesorë dhe studentë nga universitete të ndryshme të rajonit dhe Evropës Qendrore, me fokus në temat aktuale dhe sfidat në fushën e sigurisë ushqimore dhe jetës së shëndetshme.
Prof. Rexhepi mori pjesë si freemover dhe prezantoi punimin shkencor me titull: “Utilisation of FTIR-PLSR for the Quantification of Organic Molecules in Food Samples”, në të cilin trajtohet përdorimi i spektroskopisë FTIR (Fourier Transform Infrared Spectroscopy) në kombinim me metodën statistikore PLSR (Partial Least Squares Regression) për vlerësimin sasior të molekulave organike në mostra ushqimore – një qasje bashkëkohore që kontribuon në avancimin e analizës dhe kontrollit të cilësisë ushqimore.
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” e vlerëson lartë angazhimin dhe përfaqësimin dinjitoz të stafit akademik në aktivitete ndërkombëtare, të cilat përforcojnë profilin kërkimor dhe nxisin bashkëpunimin ndëruniversitar.
