Prof.ass.dr.EDBA. Filloreta Kunoviku Demiri merr pjesë si paneliste në Workshop-in mbi Barazinë Gjinore në Arsimin e Lartë
Më 15 tetor 2025, Prof.ass.dr.EDBA. Filloreta Kunoviku Demiri nga Fakulteti Ekonomik, Universiteti Isa Boletini në Mitrovicë (UIBM) mori pjesë si paneliste në Seancën 4: Shembuj Praktikë – Avancimi i Barazisë Gjinore përmes Mësimdhënies dhe Kërkimit Shkencor, gjatë Workshop-it mbi Barazinë Gjinore në Arsimin e Lartë në Kosovë, të organizuar nga Programi SHER.
Prof. Kunoviku Demiri kontribuoi në panel si fituese e grantit për projektin “EmpowerHER: Bridging Gender Equality, Mental Health, and Entrepreneurship for Female Students”, një iniciativë e mbështetur nga Skema e Granteve të Vogla për Dimensionin Social të SHER. Ajo prezantoi qasjen inovative të projektit për fuqizimin e studenteve femra përmes ndërgjegjësimit gjinor, mbështetjes së shëndetit mendor dhe zhvillimit të aftësive ndërmarrëse.
Workshop-i, i organizuar nga SHER në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MESTI), WUS Austria dhe partnerë të tjerë, bashkoi përfaqësues nga universitetet publike, Agjencia për Barazi Gjinore, UN Women Kosova dhe organizata të shoqërisë civile. Ai shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira mbi integrimin e barazisë gjinore në mësimdhënie, mësimnxënie dhe kërkim shkencor.
Përmes pjesëmarrjes së saj, Prof. Kunoviku Demiri demonstroi angazhimin e vazhdueshëm të UIBM për promovimin e barazisë gjinore, përfshirjes dhe fuqizimit brenda arsimit të lartë. Universiteti vazhdon të mbështesë iniciativa që nxisin mundësi të barabarta dhe forcojnë rolin e grave në akademi dhe më gjerë.

