Profesorët e UMIB-it realizuan mobilitet akademik CEEPUS në Sofje
Prof. asoc. Dr. Festim Kutllovci dhe Prof. asoc. Dr. Fatos Rexhepi nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UMIB) realizuan qëndrim akademik në Universitetin e Teknologjisë Kimike dhe Metalurgjisë Sofje, Bullgari, në kuadër të programit CEEPUS – Central European Exchange Program for University Studies.
Gjatë mobilitetit, profesorët Rexhepi dhe Kutllovci zhvilluan aktivitete akademike dhe kërkimore me fokus në aplikimin e spektroskopisë XRF (X-Ray Fluorescence) dhe metodave kemometrike për analizën dhe karakterizimin e mostrave gjeologjike dhe minerale.
Fokusi i punës kërkimore ishte në integrimin e të dhënave të përftuara nga analizat XRF me metodat kemometrike, me qëllim të nxjerrjes së informacionit më të plotë nga përbërja elementare e mostrave dhe vlerësimit të potencialit të kësaj qasjeje për karakterizimin dhe diferencimin e materialeve gjeologjike dhe minerale.
Në veçanti, u trajtua aplikimi i Principal Component Analysis (PCA) dhe metodave të tjera të analizës multivariate për identifikimin e ngjashmërive dhe dallimeve ndërmjet mostrave, klasifikimin e tyre dhe interpretimin e variacioneve në përbërjen elementare të materialeve gjeologjike dhe minerale.
Kombinimi i analizës XRF me kemometrinë ofron mundësi për një interpretim më të avancuar të të dhënave analitike dhe për zhvillimin e qasjeve të orientuara drejt karakterizimit, diferencimit dhe klasifikimit të mostrave me origjinë gjeologjike.
Gjatë qëndrimit u zhvilluan gjithashtu diskutime profesionale me stafin akademik të institucionit pritës për shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimeve të ardhshme në fushën e identifikimit dhe karakterizimit të mineraleve, analizave XRF dhe aplikimit të metodave kemometrike në shkencat gjeologjike.
Ky mobilitet kontribuon në ngritjen e kapaciteteve kërkimore të stafit akademik, transferimin e njohurive dhe metodave bashkëkohore analitike, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

