Rektorja Deva mori pjesë në “Balkan International Youth Summit for Peace 2026”
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Nurten Deva, mori pjesë në “Balkan International Youth Summit for Peace 2026”, i cili u hap më 1 tetor 2026 në Mitrovicë. Në aktivitet morën pjesë edhe prorektorët prof. dr. Sabri Avdullahi dhe prof.ass.dr. Bahtir Hyseni, së bashku me stafin administrativ të UIBM.
Gjatë Samitit, rektorja Deva iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë rasti, duke theksuar rëndësinë e dialogut, bashkëpunimit dhe përfshirjes së të rinjve në ndërtimin e një të ardhmeje më paqësore. Ajo vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti në Mitrovicë dhe rëndësinë e krijimit të hapësirave ku të rinjtë nga vende dhe komunitete të ndryshme mund të takohen, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi.
Në ditët në vijim të Samitit, në kuadër të bashkëpunimit të UIBM-së me YSP Balkan, pritet të marrin pjesë edhe studentë të Universitetit “Isa Boletini”, të cilët do të jenë pjesë e aktiviteteve dhe diskutimeve të këtij eventi ndërkombëtar.


