Shkollat e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë mirëpresin studentët e Edukimit për punën praktike

Drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me drejtoritë e arsimit në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri për organizimin e praktikës së studentëve të Fakultetit të Edukimit nëpër institucionet shkollore dhe parashkollore. Përfitues nga kjo marrëveshje bashkëpunimi pritet të jenë studentët, stafi akademik, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit etj.

Në marrëveshjen e cila u nënshkrua të enjten nga prorektori, Izet Zeqiri, si dhe drejtorët e drejtorive komunale të arsimit në Mitrovicë, Iset Beka, në Skenderaj, Bekim Latifi dhe Vushtrri, Afrim Namani, janë përcaktuar obligimet e secilit institucion. Në bazë të marrëveshjes planifikohet që palët të bashkëpunojnë për organizimin e veprimtarive arsimore, konferenca, simpoziume etj.

Në bazë të marrëveshjes palët janë pajtuar që të bashkëpunojnë në zbatimin e komponentës së praktikës pedagogjike, e cila është e ndërlidhur me veprimtarinë e institucioneve përkatëse. Në marrëveshje është specifikuar se shkollat fillore dhe të mesme të ulëta si dhe institucionet parashkollore, lejojnë studentët e Fakultetit të Edukimit, që të jenë pjesë e procesit mësimor përgjatë vitit shkollor.

Drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini”, ata të Fakultetit të Edukimit dhe drejtorët e drejtorive të arsimit në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, u zotuan se do të angazhohen që ky bashkëpunim të jetë sa më i frytshëm në të mirë të studentëve dhe institucioneve.

DSC 0061