Studentja e UIBM, Fjolla Hasani, përfaqësuese e Rinisë së Kosovës në Bruksel
Studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë janë shndërruar në ambasadorë jo vetëm të universitetit, por edhe të shtetit të Kosovës. Studentja e Fakultetit Ekonomik, Fjolla Hasani, e ka përfaqësuar Rininë e Kosovës në konferencën vjetor në Bruksel me titull: Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës për Kundër-Ekstremizëm dhe Ekstremizëm të Dhunshëm.
Në këtë konferencë morën pjesë ekspertë ndërkombëtarë, studiues, praktikues dhe politikëbërës për të ndarë kërkime, metodologji dhe praktika më të fundit në fushën e parandalimit dhe kundër-veprimit ndaj ekstremizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Konferenca synon të bashkojë studiues, praktikues dhe vendimmarrës për të ndarë analiza, gjetje kërkimore dhe praktika efektive për parandalimin dhe kundërveprimin e ekstremizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Studentja e UIBM, Fjolla Hasani, tha se ka qenë kënaqësi ta përfaqësonte Rininë e Kosovës në atë konferencë ndërkombëtare. Ajo gjithashtu mbajti edhe një fjalim për qytetin e Mitrovicës, si një qytet që shumë herë ka qenë simbol i ndasive, por edhe i shpresës. “Rinia në Mitrovicë është një ndër grupet më të ekspozuara ndaj dezinformimit, radikalizimit në internet, presionit komunitar dhe historive të pasakta që qarkullojnë çdo ditë”.
Ky aktivitet ishte mundësuar nga EduTask, që tashmë ka nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi me UIBM.
