Studentja Yllka Haxhnikaj përfundon me sukses mobilitetin pesëmujor akademik dhe kërkimor në UIBM
Studentja Yllka Haxhnikaj, nga institucioni francez ENSMAC – Bordeaux INP, ka përfunduar me sukses qëndrimin e saj pesëmujor të mobilitetit akademik dhe kërkimor në Universitetin “Isa Boletini” Mitrovicë (UIBM), përkatësisht në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore.
Gjatë kësaj periudhe, studentja ka zhvilluar aktivitete akademike dhe kërkimore në fushën e Kimisë Organike, nën mentorimin e Prof. Dr. Fatos Rexhepit.
Aktivitetet e realizuara gjatë mobilitetit janë përqendruar në studimin e strukturës molekulare dhe vetive fiziko-kimike të komponimeve organike, me theks të veçantë në identifikimin dhe karakterizimin e strukturave organike përmes sinjaleve karakteristike të grupeve funksionale, si dhe në përcaktimin sasior të komponimeve organike bazuar në intensitetin dhe karakteristikat e këtyre sinjaleve.
Në kuadër të angazhimit kërkimor, studentja ka zhvilluar njohuritë dhe aftësitë në interpretimin e karakteristikave strukturore të molekulave organike, identifikimin e grupeve funksionale dhe ndërlidhjen e strukturës kimike me vetitë dhe sjelljen e komponimeve organike. Vëmendje e veçantë i është kushtuar zbatimit të këtyre njohurive në identifikimin cilësor dhe përcaktimin sasior të substancave organike në sisteme të ndryshme.
Ky mobilitet ka kontribuar në avancimin e kompetencave shkencore dhe profesionale të studentes, duke i mundësuar të ndërlidhë njohuritë teorike të Kimisë Organike me aplikimet praktike dhe aktivitetet kërkimore.
Njëkohësisht, realizimi i këtij mobiliteti përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” Mitrovica dhe ENSMAC – Bordeaux INP, duke nxitur shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe zhvillimin e bashkëpunimeve të ardhshme në fushën e kërkimit shkencor.
Universiteti “Isa Boletini” Mitrovica e përgëzon studenten Yllka Haxhnikaj për përfundimin e suksesshëm të mobilitetit dhe i uron suksese të mëtejshme në zhvillimin e saj akademik dhe profesional.

