Diskutohet për impelementimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Fakultetin Juridik të Universitetit Internacional të Sarajevës
Nëpërmjet platformës digjitale Zoom, u mbajt të mërkurën një takim bashkëbisedues mes dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. dr. Islam Qerimi, dhe dekanes së Fakultetit Juridik të Universitetit Internacional të Sarajevës, Prof. dr. Ena Kazić. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth fillimit të implementimit të memorandumit të bashkëpunimit, i nënshkruar më herët gjatë vitit 2024.
Gjatë takimit, palët prezantuan kurikulat akademike dhe përbërjen e stafit akademik të fakulteteve përkatëse. Në bazë të këtyre informacioneve, u inicua organizimi i ligjëratave të hapura për studentët e të dy institucioneve, si një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit akademik.
Ndër propozimet e tjera u veçua organizimi i një konference të përbashkët shkencore, si dhe aplikimi në fonde rajonale për realizimin e projekteve kërkimore dhe shkëmbimeve akademike për stafin dhe studentët dhe stafin akademik të cikleve të dytë dhe të tretë të studimeve.
Në përmbyllje të takimit, dekanët u dakorduan që gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2025–2026 të organizohet një vizitë studimore në njërin nga universitetet, si pjesë e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit.
