Dafina

Përfshirja e studenteve të Masterit në realizimin e projektit shkencor për kulturën In Vitro të rrushit Vranç

Në kuadër të realizimit të projektit shkencor “Optimizimi i kulturës In Vitro të kallusit të rrushit Vranç (Vitis vinifera L.) si burim i qëndrueshëm i komponimeve bioaktive për ruajtjen e ushqimit”, u mbajt një takim pune me studentet e përfshira në projekt.

Takimi u zhvillua me qëllim të organizimit të aktiviteteve të ardhshme kërkimore, koordinimit të punës dhe ndarjes së detyrave ndërmjet anëtarëve të ekipit. Gjatë takimit u diskutuan hapat kryesorë të punës laboratorike, përgatitja e materialit bimor, sterilizimi, formimi dhe monitorimi i kallusit, si dhe optimizimi i kushteve për prodhimin dhe ekstraktimin e antocianinave dhe komponimeve të tjera bioaktive.

Në takim morën pjesë studentet e Masterit Rrita Syla dhe Rinesa Maxhuni, të cilat janë pjesë e ekipit realizues të projektit, së bashku me bartësen e projektit, Prof. Ass. Dr. Dafina Llugaxhiu Krasniqi.

Studentja Rrita Syla do të angazhohet në aktivitetet që lidhen me sterilizimin e rrushit në laborator dhe optimizimin e kushteve për formimin e kallusit, ndërsa studentja Rinesa Maxhuni do të fokusohet në optimizimin e kushteve për formimin e kallusit dhe ekstraktimin e antocianinave nga kallusi i formuar.

Takimi shënon një hap të rëndësishëm në përfshirjen e studentëve në punën kërkimore praktike, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë njohuri dhe aftësi laboratorike në fushën e bioteknologjisë bimore dhe aplikimit të kulturave In Vitro në teknologjinë ushqimore.

Projekti synon të kontribuojë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve bimore dhe në identifikimin e komponimeve bioaktive me potencial për aplikim në ruajtjen dhe mbrojtjen e ushqimit.

Shperndaj ne: