Tre vjet pas themelimit, Universiteti i Mitrovicës, plotësisht i konsoliduar

Kanë kaluar vetëm tre vjet nga themelimi i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, mirëpo kjo periudhë ka mjaftuar që ky universitet të konsolidohet. Kështu u tha të martën në një debat të organizuar nga Parlamenti i Studentëve, me rastin e 3-vjetorit të themelimit të Universitetit, ku u diskutua për të arriturat dhe sfidat gjatë kësaj kohe.

Panelistë në këtë debat ishin rektori, Alush Musaj, kryetari i Këshilli Drejtues (KD), Vahid Avdiu, dekani i Fakultetit Juridik, Bashkim Preteni si dhe kryetari i Parlamentit të Studentëve, Fitim Latifaj, të cilët folën për ecurinë e Universitetit gjatë këtyre tre viteve. Rektori Musaj, pasi uroi studentët për këtë përvjetor, tha se tradita e gjatë e studimeve akademike në Mitrovicë, ka bërë që Universiteti “Isa Boletini”, përkundër faktit që është themeluar vetëm para tri vitesh të jetë më i konsoliduar në krahasim me universitetet e reja publike në vend.

Një prej të arriturave që duhet të potencohet patjetër, sipas tij, është bashkëpunimi me një numër të madh universitetesh në rajon, në Evropë, por edhe më gjerë. “Kjo ka bërë që studentët dhe profesorët tanë të kenë mundësi që të përfitojnë nga përvojat e universiteteve me traditë të gjatë akademike”.

Rektori tha se situata ka ndryshuar për të mirë edhe sa i përket hapësirave të punës, duke pasur parasysh se kjo ka qenë një sfidë, me të cilën janë përballur studentët në Mitrovicë prej viteve ’90 kur janë dëbuar nga objektet e tyre në veri. “Sa i përket hapësirave, ne presim që së shpejti të përfundoj objekti i ri në kampusin e ri universitar që është duke u ndërtuar”.

Si rrjedhojë, tha ai,  mbetet që krejt fokusi  të orientohet në rritjen e cilësisë së punës akademike. “Kjo është një objektiv që arrihet me përkushtimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve”, tha Musaj.

Ndërsa, kryetari i Parlamentit të Studentëve, Fitim Latifaj, foli për aktivitetet e studentëve pas konsolidimit të organeve të tyre përfaqësuese. “Tashmë jemi të organizuar mirë dhe të përfaqësuar në të gjitha organet drejtuese të Universitetit”, tha ai.

Studentët u interesuan për aspekte të ndryshme që lidhen me Universitetin, si për kabinete, laboratorë, literaturë etj.