Jur

Trupi Këshilldhënës i Fakultetit Juridik mbajti takimin e rregullt

Trupi Këshilldhënës i Fakultetit Juridik, nën udhëheqjen e kryetarit të tij, z. Shpëtim Peci, prokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, dhe me përkrahjen e Dekanit të Fakultetit, Prof. Dr. Islam Qerimi, mbajti takimin e rregullt të këtij organi.

Në takim morën pjesë edhe anëtarët e jashtëm të Trupit Këshilldhënës, përfshirë avokatët z. Besim Parduzi dhe z. Armend Shkoza nga Oda e Avokatëve të Kosovës, si dhe z. Nebi Halili, përfaqësues nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Nga Fakulteti Juridik, përveç Dekanit Qerimi, ishin të pranishëm edhe prodekanët: Prof. Ass. Dr. Arta Dauti, Prodekane për Mësim, Prof. Asoc. Dr. Arbnor Ajeti, Prodekan për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Cilësi, shefi i departamentit Prof. Asoc. Dr. Besnik Murati, si dhe Prof. Ass. Dr. Mimoza Aliu, përfaqësuese e Fakultetit Juridik në Senatin e UIBM-së.

Gjatë takimit, Dekani Qerimi e njoftoi kryetarin Peci dhe anëtarët e Trupit Këshilldhënës për të arriturat e Fakultetit Juridik në periudhën e fundit, duke theksuar përfundimin e suksesshëm të semestrit akademik. Ai po ashtu përmendi vizitën e realizuar të një profesoreshë nga Fakulteti Juridik i Universitetit Drake në SHBA, si dhe pritjen e radhës së një profesori vizitor ndërkombëtar. Dekani i informoi të pranishmit edhe lidhur me procesin e riakreditimit të programit, i cili pritet të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm.

Në vazhdim, kryetari i Trupit Këshilldhënës, z. Shpëtim Peci, hapi diskutimin lidhur me rekomandimet e këtij organi për përfshirjen e tyre në Dokumentin e Raportit të Vetëvlerësimit, i cili aktualisht është në proces draftimi për qëllime të riakreditimit të programit të Fakultetit Juridik. Rekomandimi kryesor, i iniciuar nga anëtari i Trupit Këshilldhënës, z. Armend Shkoza, për pasurimin e kurrikulës me lëndë nga e drejta civile, gjeti mbështetje të plotë nga të gjithë të pranishmit, në veçanti nga profesorët e së drejtës civile që përfaqësonin Fakultetin në këtë takim.

Profesorët trajtuan në mënyrë të detajuar këtë tematikë, duke prezantuar lëndët e së drejtës civile të përfshira në kurrikulë, si dhe kapitujt përkatës që trajtohen përmes syllabuseve. Ata u zotuan se në takimin e radhës të Grupit Punues për hartimin e Raportit të Vetëvlerësimit do të kontribuojnë në konkretizimin e implementimit të rekomandimeve të dala nga ky takim.

Gjithashtu, u parashtruan kërkesa për intensifikimin e ligjëratave me ekspertë nga sistemi i drejtësisë, si dhe për inicimin e memorandumeve të bashkëpunimit me institucionet e administratës lokale dhe qeveritare, me qëllim të shkëmbimit të përvojave profesionale dhe akademike.

Në përmbyllje të takimit, Dekani Qerimi falënderoi kryetarin e Trupit Këshilldhënës për udhëheqjen e takimit, si dhe të gjithë anëtarët për kontributin e dhënë, duke theksuar gatishmërinë e tij për thirrjen dhe organizimin e takimeve të ardhshme të këtij organi për çdo propozim të nevojshëm.

 

Shperndaj ne: