T1

U mbajt tryeza: “Transformimi i menaxhimit të biznesit në epokën digjitale”

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u mbajt të mërkurën tryeza me temën: “Transformimi i menaxhimit të biznesit në epokën digjitale: Si të përshtatemi me kërkesat e tregut”, organizuar nga Fakulteti Ekonomik dhe Tirana Business University (TBU). Përveç drejtuesve të UIBM dhe TBU, të pranishëm ishin edhe zyrtarë komunalë, përfaqësues të biznesit, mësimdhënës, studentë etj.

Tryezën e udhëhoqi prof.dr. Esat Durguti, prodekan për Hulumtim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fakultetin Ekonomik, i cili fillimisht prezantoi të gjetura që janë publikuar nga institucione dhe organizata të ndryshme për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA). Mandej fjalën e mori dekani i Fakultetit Ekonomik, prof.asoc.dr. Qazim Tmava, i cili theksoi se duhet gjetur një ekuilibër ndërmjet përdorimit të teknologjisë si imperativ dhe rreziqeve që sjell.

Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, vuri theksin në nevojën e kujdesit të shtuar sa i përket përdorimit të IA, duke pasur parasysh hovin që ka marrë tashmë në çdo fushë të jetës. Ndërsa, rektorja e TBU, prof.dr. Vasilika Kume, theksoi se duhen politika të mirëfillta për përdorimin e IA, meqë institucionet gjithsesi duhet të përdorin për të mos mbetur jashtë tregut.

Pas pjesës hyrëse në tryezën e diskutimit u përfshinë edhe pjesëmarrës tjerë, si mësimdhënës dhe përfaqësues të bizneseve, të cilët shfaqën pikëpamjet e tyre për përdorimin e IA.

T4
Shperndaj ne: