Ballina

U shënua 13-vjetori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë

Me një manifestim madhështor në hapësirat e kampusit universitar, u shënua të premten 13-vjetori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Përveç menaxhmentit, stafit akademik, administratës dhe studentëve, pjesë e ngjarjes ishin edhe zyrtarë komunalë, përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile si dhe drejtorë dhe nxënës të shkollave të mesme.

Manifestimi u hap me himnin kombëtar dhe atë shtetëror të intonuar nga nxënësit e Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Ndërsa në emër të UIBM, të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti rektorja, prof.dr. Nurten Deva.

Pasi falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, ajo shprehu kënaqësinë që secili përvjetor po e gjen institucionin më të organizuar dhe më të suksesshëm. Deva theksoi se rezultatet nuk mund të imagjinohen pa përkushtimin e të gjitha hallkave universitare, por edhe pa mbështetjen dhe bashkëpunimin me institucionet lokale dhe qendrore, kompanitë, biznesin, shoqërinë civile, organizatat vendore dhe ndërkombëtare. “Pra është një rrugëtim i përbashkët dhe një sukses i përbashkët, për çka shprehim mirënjohjen tonë më të sinqertë”.

E para e UIBM, potencoi faktin se përvjetori i Universitetit përkon me një moment të rëndësishëm të historisë, pra me Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të përkujtuar rrugën e vështirë që kishim përpara dhe për të qenë mirënjohës për mundësitë tona. “Përkulemi me respekt para sakrificës së Adem Jasharit dhe gjithë dëshmorëve të kombit, pjesë e të cilëve janë edhe shumë ish-studentë nga Mitrovica dhe gjithë vendi”.

Me këtë rast, ajo përkujtoi dhe nderoi të gjitha ato gjenerata të mësimdhënësve, punëtorëve të administratës dhe studentëve në institucionet e arsimit të lartë që i kanë parapri Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. “Mirënjohje dhe respekt për punën, angazhimin dhe sakrificën e tyre, në ato kushte dhe rrethana të vështira, duke e mbajtur gjallë ëndrrën e zhvillimit, ëndrrën e lirisë dhe shtetit të pavarur”, tha Deva.

Për ta bërë më madhështore manifestimin u përkujdesen gjashtë ish-studentë të UIBM, duke rrëfyer para të pranishmëve rrugëtimin e tyre të suksesit. Pas prezantimeve, atyre ju ndanë certifikata me titullin “Ambasador nderi”, në shenjë mirënjohjeje dhe nderimi për promovimin e UIBM duke ngritur imazhin e institucionit brenda dhe jashtë vendit.

Certifikata me titullin “Ambasador nderi” u ndanë për ish-studentët: Enes Muzaqi nga Fakulteti i Gjeoshkencave, Shpresa Musa nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore, Jeton Korenica nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Bleona Meholli nga Fakulteti Juridik, Altina Kamberaj nga Fakultetit Ekonomik dhe Mimoza Voca nga Fakulteti i Edukimit. Titujt e nderit u ndanë nga rektorja me dekanët e njësive akademike.

Në pjesën e fundit të programit, u ndanë mirënjohje edhe për drejtorët e shkollave të mesme të rajonit të Mitrovicës për mbështetje dhe bashkëpunim me Universitetin. Mirënjohje u ndanë për drejtorin e Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, Luan Mehmeti, drejtoreshën e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë “Dr. Xheladin Deda”, Drita Qamili, drejtorin e Shkollës së Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, Abdullah Bejtullahun, drejtorin e Shkollës së Mesme Teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë, Jeton Hajdari, drejtorin e Qendrës Profesionale në Skënderaj,  Armend Bajraktari dhe drejtorin e Gjimnazit në Vushtrri, Galip Avdiu. Mirënjohjet u ndanë nga prorektorja, prof.asoc.dr.Edita Bekteshi.

Për pjesën artistike të programit u përkujdes shoqëria “Shqipet e vogla”, të cilët u prezantuan para publikut me dy valle.

 

 

 

1
Shperndaj ne: