UIBM bashkëpunon me IKAF dhe BEINT
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Institutin për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) dhe “International Business Education” (BEINT), me qëllim të krijimit të mundësive për stafin akademik, administratën dhe studentët që të përfitojnë nga trajnimet dhe përvoja e këtyre dy organizatave. Me qëllim të specifikimit të fushave të bashkëpunimit ndërmjet UIBM me IKAF dhe BEINT, rektorja, prof.dr. Nurten Deva nënshkroi të hënën Memorandum Bashkëpunimi me drejtorin e këtyre dy organizatave, Bujar Krasniqi.
Në Memorandum e Bashkëpunimit me IKAF, është përcaktuar korniza e përgjithshme e bashkëpunimit ndërmjet palëve, me qëllim të përgatitjes dhe zhvillimit të kuadrove profesionale në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe disiplinave të lidhura për studentët dhe kandidatët e UIBM. Ndërsa në Memorandumin e Bashkëpunimit me BEINT, është përcaktuar korniza e bashkëpunimit ndërmjet palëve për përgatitjen dhe zhvillimin e kuadrove profesionale në fushën e arsimimit, menaxhimit universitar dhe disiplinave të lidhura, duke përfshirë zhvillimin profesional të profesorëve, asistentëve dhe trajnerëve në UIBM.
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, e ka falënderuar drejtorin Krasniqi për gatishmërinë për bashkëpunim, duke hapur mundësi të reja për komunitetin universitar për ngritje profesionale në fusha të caktuara. Në anën tjetër, drejtori Krasniqi, ka shprehur vendosmërinë e tij për hapa konkretë në realizimin e bashkëpunimit të vendosur ndërmjet UIBM me IKAF dhe BEINT.
Në Memorandumet e nënshkruara janë përcaktuar fushat dhe format e bashkëpunimit si dhe janë përcaktuar përgjegjësitë e palëve.


