Universiteti i Mitrovicës – pjesë e projekteve ndërkombëtare në arsimin e lartë

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) është bërë pjesë e projekteve të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë. Në këtë kontekst, prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Rifat Morina, ka përfaqësuar UMIB-in në takimin vjetor të konsorciumit të Erasmus Mundus “GreenTech:Smart&Green Technologies for Inovative and Sustainable Societies in Ëestern Balkan”, që është mbajtur në Slloveni me 18 dhe 19 nëntor.

Në këtë takim, ku kanë marrë pjesë 21 universitete, prej tyre 11 nga Ballkani dhe 10 të tjera nga Bashkimi Evropian, është diskutuar për të arriturat e këtij projekti, për problemet dhe  shfrytëzimin më të mirë të mundësive që ofrohen. Gjithashtu është diskutuar edhe për projektet e përbashkëta me të cilat universitetet mund të aplikojnë në fondet e Komisionit Evropian, në veçanti për ato që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë.

Prorektori Morina, gjatë qëndrimit në Slloveni ka realizuar edhe një sërë takimesh me përgjegjës dhe drejtues të fakulteteve dhe universiteteve të ndryshme. Në këtë kuadër ai është takuar me zëvendësdekanin e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Lubljanës,Tomazh Turk, me të cilin është shqyrtuar mundësia e hapjes se programeve të përbashkëta në sferën e ekonomisë.

Poashtu ai ka zhvilluar një takim edhe me drejtoreshën për Marrëdhënie me Jashtë të Universitetit të  Lubljanës, Katja Cerjak, me të cilën është diskutuar për projektet e përbashkëta që mund të dorëzohen për aplikim në Komisionin Evropian deri në shkurt të vitit të ardhshëm.

Si rezultat i këtyre projekteve të përbashkëta ndërkombëtare, në të cilat është pjesë UMIB-i, është hapur mundësia që studentët dhe profesorët e këtij Universiteti të përftojnë më së shumti nga këto projekte në fushën e arsimit të lartë.