Universiteti “Isa Boletini”, përgatitë ekspertë për trajtimin e ujërave të zeza

Profesorë, studentë, njerëz të biznesit dhe të interesuar të tjerë, janë bërë pjesë e punëtorisë “Trajtimi i ujërave të zeza”, që ka filluar të hënën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Interesimi për këtë punëtori që është organizuar nga Universiteti “Isa Boletini”, Universiteti “Van Hall Larenstein” dhe Universiteti “Avans” nga Holanda, kompania “Bulmeti” dhe Shoqata e ekspertëve holandez “PUM”., ka qenë shumë i madh.

Prorektori për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin “Isa Boletini”, Rifat Morina, tha se punëtoria “Trajtimi i ujërave të zeza” do të mbahet në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore prej 17-28 tetor 2016. Sipas tij, trajtimi i ujërave të zeza është një sfidë për Kosovën në përgjithësi, prandaj edhe ka pasur interesim të madh për të marrë pjesë në këtë punëtori.

Morina, tha se duke pasur parasysh rëndësinë që ka trajtimi i ujërave të zeza mëtohet që në Universitetin “Isa Boletini” të themelohet  një program i veçantë në këtë lëmi. “Tashmë kemi krijuar një përvojë të mirë në këtë fushë, prandaj jemi duke u përpjekur që ta ofrojmë në dobi të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi”, theksoi ai.

Punëtoria që ka filluar të hënën do të jetë intensive, ku përveç pjesës teorike do të punohet edhe praktikisht nga ekspertët ndërkombëtar dhe e gjitha do të zhvillohet në gjuhën angleze. Në fund të punëtorisë do të ndahen certifikata për pjesëmarrësit